Pyetje të Shpeshta

1. Çfarë është MIDF?

MIDF është një fond investimi risi, i përkushtuar për të dhënë financime për projekte të infrastrukturës komunale në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, dhe Serbi. Është themeluar në Luksemburg si kompani investimi me kapital privat (“SICAV”) sipas ligjit në Luksemburg.

Veprimtaria e MIDF-së mbështetet nga një Fond Asistence Teknike, i cili është i dobishëm për arritjen e misionit dhe objektivave të fondit MIDF.

MIDF financohet nga kontribute të Ministrisë së Financave të Austrisë, Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindertim, KfW, Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), dhe Frankfurt School of Finance and Management. 

 

2. Pse është krijuar fondi MIDF?

Infrastruktura vendore përgjatë gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor vuan nga një mungesë e konsiderueshme investimesh në të. Vështirësitë ekonomike të viteve të fundit kanë bërë që fondet për investime në infrastrukturë të jenë akoma më të kufizuara. Për rrjedhojë, komunat shpesh e kanë të pamundur të kenë qasje në financim për investime të natyrës së domosdoshme. E gjithë kjo është një situatë e papërshtatshme dhe e paqëndrueshme.

Për të zgjidhur këtë sfidë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe KfW kanë krijuar Fondin e Zhvillimit të Infrastrukturës Komunale (MIDF) në vitin 2013. MIDF jep financimin afatgjatë të nevojshëm për investime në infrastrukturë dhe ndihmon për të plotësuar nevojat për financime të tilla në rajonin e Ballkanit perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe Serbinë. 

 

3. Çfarë tipe investimesh mbështet fondi MIDF?

MIDF në mënyrë indirekte financon ndërtimin e infrastrukturës së re, apo ripërtëritjen dhe përmirësimin e asaj ekzistuese, si për shëmbull 

  • Furnizim me ujë të pijshëm, trajtim i ujrave të zeza dhe kanalizime;
  • Menaxhim të mbetjeve të thata, qëndra riciklimi, pika të ndarjes së mbeturinave, qëndra të përzierjes së plehrave, apo lehtësira të ngjashme për trajtimin e mbeturinave;
  • Furnizim me energji dhe ngrohje, si për shembull, sisteme ngrohjeje qëndrore, përfshirë rrjetin përkatës, kaldajat, nënstacione të ngrohjes;
  • Rrugë e parkingje publike, menaxhim trafiku dhe sinjalistikë, stacione autobuzash, ndriçim të rrugëve, parqe, dhe zona për këmbësorë;
  • Projekte të efiçiencës së energjisë për sektorin publik dhe ndërtesa publike;
  • Infrastrukturë transporti publik rrugor dhe hekurudhor;
  • Projekte të tjera të infrastrukturës komunale, sipas rastit. 

 

4. Kush mund të përfitojë nga investimet e fondit MIDF?

Përfituesit e mundshëm të investimeve të fondit MIDF përfshijnë: 

  • Komuna dhe qeveri vendore,
  • Organizma apo institucione që zotërohen nga komunat,
  • Institucione të tjera publike që zotërojnë infrastrukturë komunale apo operojnë me të, dhe
  • Operatorë të sektorit privat që japin shërbime komunale (si për shembull operatorë të transportit urban, kompani të kursimit të energjisë, furnitorë privatë të nxehjes qëndrore dhe energjisë, etj.). 

 

5. Çfarë tip instrumentesh kredie u ofron fondi MIDF bankave pjesëmarrëse?

MIDF ofron tre tipe instrumentesh kreditimi: 

  • Linja kredie – MIDF u ofron likuiditet shtesë bankave pjesëmarrëse me kushte tregu. Nga ana e tyre, bankat pjesëmarrëse mund të zgjerojnë kredidhënien ndaj përfituesve të mundshëm.
  • Pjesëmarrje në risk e financuar– MIDF i ofron financim të pjesshëm bankës pjesëmarrëse, sipas një kuote të dakorduar paraprakisht, për të bashkëfinancuar investime të pranueshme duke marrë përsipër po të njëjtën kuote risku të kredisë.
  • Pjesëmarrje në risk e pafinancuar – MIDF i garanton bankës pjesëmarrëse një kuotë nga financimi që bën kjo e fundit, dhe ndan me bankën me po të njëjtën kuotë çdo humbje të mundshme në rast moskthimi nga përfituesi përfundimtar i financimit. 

 

6. Çfarë tip asistence teknike jep fondi MIDF? 

  • Asistencë teknike për bankat pjesëmarrëse: Asistenca teknike mbështet bankat pjesëmarrëse për të krijuar struktura të shëndosha të operacioneve për financimin e investimeve infrastrukturore komunale. Kjo përfshin vendosjen e kontrollit të brëndshëm dhe metodologjisë për vlerësimin e riskut në investimet komunale e infrastrukturore, hartimin e dokumentacionit të duhur për procesin e financimit, përgatitjen e vlerësimit të praktikave me impakt social e ambiental, prokurimin dhe monitorimin e koncesioneve.
  • Asistenca teknike për klientët: Asistenca teknike mbështet klientët e MIDF-së në përmirësimin e kapaciteteve të tyre administrative e teknike përgjatë ciklit të zhvillimit dhe implementimit të projektit. Kjo përfshin përgatitjen e studimit të fizibilitetit, hartimin e projektit dhe dokumentacionit të tenderimit, kontrollin e prokurimeve dhe koncesioneve, si dhe monitorimin e projektit dhe raportimet mbi të.