Procesi i Investimeve

Procesi i vendimmarrjes dhe i investimit në MIDF për dhënien e financimeve ndaj klientëve të pranueshëm është paraqitur në skemën e mëposhtme.

Procesi i investimit në MIDF është strukturuar në mënyrë të tillë që të sigurojë vlerën maksimale si për bankat pjesëmarrëse ashtu edhe për klientët përfundimtarë.

Për instrumentin e ndarjes së riskut, procesi i investimit konsiston në katër faza kryesore, të cilat sigurojnë një proces të shpejtë dhe efikas të vendimmarrjes mbi kreditë: 

1. Faza paraprake

Banka pjesëmarrëse identifikon projektin për financim nga MIDF. Konsulentët e asistencës teknike të MIDF-së (Asistenca Teknike) ndihmojnë bankën pjesëmarrëse në studimin e projektit dhe fillimin e parapërgatitjes për këtë projekt. Kur projekti të jetë konfirmuar si i pranueshëm për financim nga fondi MIDF, atëherë mund të fillojë faza e dytë. 

2. Faza e vlerësimit të transaksionit

Banka pjesëmarrëse dhe klienti përfitojnë nga asistenca teknike, në formën e ekspertizës së dhënë nga inxhinierë dhe specialistë investimesh të kualifikuar. Konsulentët ndihmojnë bankën pjesëmarrëse në studimin e fizibilitetit teknik, financiar, social, dhe ambiental të projektit. Më tej, klienti përfundimtar mund të mbështetet nga MIDF në përgatitjen për tenderat financiarë në përputhje me kërkesat e legjislacionit vendor. 

3. Faza e finalizimit financiar

Pasi projekti të jetë përgatitur tërësisht, klienti përfundimtar hap procesin e tenderit për financimin e projektit dhe banka pjesëmarrëse paraqet ofertën e saj financiare. Nëse banka pjesëmarrëse përzgjidhet, ajo negocion dokumentacionin e nevojshëm të kredisë me klientin, në mënyrë të pavarur nga MIDF. Pasi aprovohet në bankën pjesëmarrëse, propozimi për kredinë i paraqitet Komitetit të Investimeve të MIDF-së për aprovim përfundimtar. 

4. Faza e monitorimit mbas firmosjes së kontratës

Banka pjesëmarrëse kryen monitorimin pas firmosjes së kredisë, në përputhje me standartet e bankingut mbi mirëmbajtjen e dosjes së kredisë, ndjekjen e implementimit të projektit, monitorimin e prokurimit, si dhe monitorimin e aspektit social dhe ambiental. MIDF mbështet banka pjesëmarrëse siç u nevojitet atyre gjatë procesit të monitorimit. 

Për instrumentin e linjës së kredisë, MIDF nuk aprovon kreditë në veçanti, sepse është banka pjesëmarrëse ajo që vendos pas një vlerësimi të kujdesshëm të riskut sipas proceduravë të brendshme të bankës. Megjithatë, ky proces mund të mbështetet nga asistenca teknike rast pas rasti në varësi të nevojave.